Vetëm pak ditë pas sulmit në Paris, ku një 69-vjeçar vrau tre kurdë, janë publikuar pamjet e sulmit në mediat sociale. Në video shihet autori i sulmit i veshur me një xhaketë të kuqe, teksa hyn në një berberhane dhe nxjerr pistoletën qetësisht e më pas qëllon në drejtim të kurdëve.
Ndërsa në një video tjetër shihet momenti teksa 69-vjeçari është neutralizuar nga personat që gjendeshin brenda në berberhane. 69-vjeçari, i cili gjatë marrjes në pyetje pranoi se ndjen një “urrejtje patologjike ndaj të huajve”, akuzohet për vrasjen e Emine Cara, zyrtare e Lëvizjes Kurde në Francë, si dhe dy burra.
Tre të tjerë u plagosën, njëri në gjendje të rëndë, por jeta e tyre nuk është në rrezik. Pesë nga gjashtë personat që u sulmuan kishin nënshtetësi turke dhe një franceze. Sipas prokurorisë, nga hetimi i zhvilluar në shtëpinë e prindërve të 69-vjeçarit, ku edhe banonte, nuk u gjet asnjë provë që ai të kishte lidhje me ndonjë grup ekstremist.
Gjatë marrjes në pyetje ai pohoi se "urrejtja e tij ndaj të huajve u bë patologjike" pas një vjedhjeje në shtëpinë e tij në vitin 2016, se vuan nga depresioni dhe ka prirje vetëvrasëse "por para se të vrisja veten kam dashur gjithmonë të vras emigrantë, të huaj, pas kësaj vjedhje”.- tha thënë ai.
69-vjeçari thuhet gjithashtu se donte të vriste kurdët sepse ata "po i mbanin të burgosur në luftën e tyre kundër ISIS-it, në vend që t'i vrisnin", duke shtuar se ai synonte të përdorte të gjithë municionin që kishte "dhe të vriste veten plumbin e fundit," por e ndaluan.