Armando Broja u dëmtua rëndë në fitoren e Everton 2-0 kundër Peterborough për FA Cup. Sulmuesi i Kombëtares nuk iu gëzua fitores në shtëpi pasi i futur në minutën e 68-të në fushë, do e linte më parë ndeshjen.
Gjatë minutës së 84 ai pësoi një dëmtim të rëndë, teksa rrëzimi në tokë u shoqërua me ulërima dhe lot. Stafit mjekësor iu desh t'i jepte bombolën e lëvizshme të oksigjenit në fushë, pasi gjendja duket se nuk ishte e mirë.
Trajneri i ri momental i Everton, Leighton Baines tha pas ndeshjes se shpresojnë që gjendja mos jetë aq e rëndë sa u mendua në fillim, pasi Broja nuk u dërgua në spital. Ai zbulon se dyshojnë për një lëndim në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë.
"Dukej keq, por nuk kam parë ngarkesa. Ai nuk ka shkuar në spital sepse shpresojmë se nuk është aq keq sa mendonim se mund të ishte, është një dëmtim në pjesën e poshtme të këmbës, por ai nuk është dërguar në spital", tha Leighton Baines.
Kujtojmë se Armando Broja ka një historik të gjatë lëndimi, duke përfshirë një çarje të ACL (ligamenti) që e mbajti jashtë për nëntë muaj nga 2022-23. I huazuar nga Chelsea, ai bëri debutimin e tij te Everton vetëm muajin e kaluar pas një dëmtimi në tendinën e Akilit.