Seanca e sotme plenare u karakterizua nga skena dhune dhe tensione. Deputetët e opozitës kishin shkuar në Kuvend me skenar të qartë, bllokimin e punimeve të seancës dhe kthimin e kaosit pas dënimit te Ervin Salianjit në dosjen Babale për kallëzim të rremë.
Ligjvënësit e opozitës morën karriget dhe i thyen. Ndërsa në një moment, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi një copë druri të shkëputur nga karriget e thyera e merr dhe e hedh në drejtim të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.
Report Tv sjell edhe videon e këtij momenti, ku dallohet qartë Bardhi që merr copën e drurit dhe e hedh drejt Spiropalit, madje edhe me thirrjet “bjerini, bjerini”.
Ka qenë punonjës i Gardës, i cili i ka shmangur një goditje ndaj kryetares së Kuvendit. Më pas deputetët e opozitës morën karriget dhe i nxorën jashtë parlamentit, duke i vënë zjarrin.
Me rreth të kuq, këmba e karriges drejt Spiropalit
Me tone të ashpra ka reaguar deputeti i PS, Erion Braçe, pas sulmeve ndaj Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Braçe ka ndarë në rrjetet sociale, videon e momentit kur Gazment Bardhi hedh drejt kryeparlamentares këmbën e karriges ndërsa thërret ‘bjerini, bjerini’.
Ligjvënësi i mazhorancës e krahason këtë moment me 4 vrasjet në Bulevard më 21 janar, gjatë qeverisjes Berisha. Braçe shkruan se edhe më 21 janar thërrisnin ‘bjerini, bjerini’ dhe kanë vrarë njerëz.
Kështu ulërinin edhe në 21 janar. bjerini! bjerini tatatatata! këta kane vrarë njerëz, kanë marrë jetë! nuk e kanë për gjë të marrin jetë njerëzish! sulmi i sotëm, i dhunshëm, ndaj një gruaje që është kryetare e kuvendit të shqipërisë, ishte me sende të forta, të rënda, të mprehta në kënde, për pasojë të rrezikshme. karriget në Kuvend peshojnë mbi 20 kilogramë, këmba e karriges që u gjuajt aty, rrezikon jetën; kjo ndodhi!
Gjithçka është falur deri tani, por jeta nuk falet! Ky qe bërtet bjerini-bjerini duhet të kuptojë se jetën nuk e fal askush! Në anën tjetër, ky është krim i rëndë ndaj e brenda një institucioni kushtetues!
Nuk është shpifje, po krim i rëndë ndaj institucionit më të larte Kushtetues në një republike dhe të zgjedhurve nën një mandat kushtetues. Ka ndodhur edhe më parë dhe është falur! Kam një pyetje për Prokurorinë Speciale në këtë vend: duhet të vritet kush apo të digjet institucioni kushtetues më i lartë në vend që të veprojë ligji?