Struga fitoi këtë të mërkurë 1-0 kundër Buducnost Podgorica në kuadër të ndeshjes së parë për raundin e II kualifikues në Conference League. Të besuarit e Shpëtim Duros iu falën një goli të kapitenit Ibraimi në pjesën e parë të ndeshjes.
Në stadiumin e Ohrit, skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut fitoi aktin e parë kundër malazezëve, teksa pas një jave do luajë shanset e kualifikimit në Podgoricë.
Skuadra e shqiptarëve tej kufirit e nisi mirë lojën, me Duron që e kishte vendosur ekipin në sulm. Do duhej minuta e 30-të që Ibraimi ta dërgonte sferën në rrjetë me një të majtë të prirët, pas asistit të Radeskit.
Edhe pse ndeshja pati raste të tjera, 90 minutat e para u mbyllën me Strugën fituese. Tanimë djemtë e Duros janë vetëm një ndeshje larg kalimit të turit, teksa luajë për herë të parë në Evropë, në historinë e tyre pak vjeçare si klub.