VIDEO/ Dhuna ulet këmbëkryq në futbollin shqiptar, në Devoll goditet anësori! Futbollistët përleshje në fushë, policia arreston tre tifozë

6 Nëntor 2022, 18:58| Përditesimi: 6 Nëntor 2022, 19:40

  • Share

Kategoria e Dytë e futbollit në Shqipëri është kthyer në një fushë gladiatorësh. Në ndeshjen e javës së gjashtë mes Devollit dhe Labërisë e zhvilluar në qytetin e Bilishtit këtë të diel, tifozët janë bërë sërish protagonistë. Një nga anësorët e ndeshjes u godit me sende të forta, teksa ka pasur tension në fundin e sfidës aqsa futbollistët u përleshën mes tyre. Skenat e dhunës nuk mbarojnë këtu, pasi një tifoz u fut në fushë dhe më pas u arrestua nga policia.

Ndeshja e grupit B për Kategorinë e Dytë u mbyll 0-0, teksa fundi i duelit rezervoi pamje që tregojnë edhe njëherë nivelin e sportit në vendin tonë. Ka qenë një gol i anulluar për pozicion jashtë loje për Devollin ai që ka nxehur situatën, me tifozët që goditën anësorin e ndeshjes. Kaq është dashur që situata për arbitrin kryesor të dilte nga kontrolli, me këtë të fundit që edhe pse vendosi fillimisht të tërheqë skuadrat në dhomat e zhveshjes, e anulloi vendimin.

Rinisja e sfidës pa sërish dhunë. Një sulm me pretendime nga Labëria dhe ndërhyrja në zonë është cilësuar e parregullt nga kryesori, që tregoi gishtin nga 11 metra. Kaq ka mjaftuar që skenat e shëmtuara të shfaqen në fushë, me lojtarët dhe stafin vendas që kanë protestuar për vendimin, teksa tifozët shpalosën arsenalin e mjeteve të palejuara të hedhura në fushë dhe sharjet me "libër shtëpie". Pas 10 minutash protesta, futbollisti Albano Çaushaj i miqve gaboi nga penalltia. Një nga lojtarët vendas e ka ironizuar dhe kjo ka sjellë që Çaushaj të shkelmonte në gjenitale lojtarin e Devollit. Gol i anulluar, kartona të verdhë, karton i kuq dhe dhunë e pashembullt në Devoll. Në fund policia njofton për tre të arrestuar në rradhët e tifozëve.

Në një javë kjo është shfaqja e tretë e dhunës në futbollin shqiptar. Pas goditjes së arbitrit në Delvina - AF Elbasani dhe dhunës në tribunën e "Roza Haxhiut" në ndeshjen Lushnja 2-2 Luzi, është Kategoria e Dytë që këtë të diel ka parë dhunën të ulet këmbëkrye në futboll.

 

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?