Sulmuesi Emir Sahiti ka shënuar një gol fantastik në Kroaci. Për javën e 12 në elitën e futbollit, Hajduku i Splitit fitoi 2-1 me Varazdin. Kanë qenë pikërisht vendasit që në minutën e 33 të ndeshjes do kalonin në avantazh me sulmuesin shqiptar. Krosimi nga e djathta e sulmit ka qenë i duhuri nga Livaja, me Sahitin që nuk është menduar dy herë duke bërë një veprim akrobatik.
Goditja me roveshatë është përplasur në tokë, duke ia bërë më të vështirë portierit që ka parë sferën pas shpine. Gol fantastik nga Sahiti, që ka bërë tifozët të vendosin duart në kokë, ndërsa në rrjetet sociale realizimi është përngjasuar me veprimin dhe golin e Ronaldos kundër Juventus. Për 23 vjeçarin ky ishte goli i parë këtë sezon, me djaloshin që pak muaj më parë zgjodhi të luante për Kosovën, teksa më parë ka qenë pjesë e U-21 të Shqipërisë.