Egnatia është kampione e Superligës së futbollit për sezonin 2023-24. Në finalen e "Final 4", rrogozhinasit mundën 1-0 Partizanin në "Air Albania" falë golit të Ibrahimoglu në minutën e 35-të.
Përtej rezultatit, interesante është mënyra sesi trajneri Edlir Tetova dhe stafi i Egnatias motivuan lojtarët e tyre. Pak përpara ndeshjes, trajneri Tetova mbajti një fjalim para ekipit, teksa fill pas saj një video u shfaq në ekran.
Në të kishte pamje nga Raphael Dwamena, ish-kapiteni i ndjerë i Egnatias që u nda nga jeta në fushë më 11 nëntorin e 2023 në një ndeshje kundër Partizanit në "Arena Egnatia".
“Me shpirt e zemër, çdo gjë unë ja dedikoj atij lojtari. Kemi zgjedhur disa momente, nga më të mirat si ai e shijonte ndeshjen. Dua që ju ta shijoni ndeshjen si Dwamena”, thotë trajneri Edlir Tetova.
Edhe festa e fitores në fundin e 90 minutave ishte për 28-vjeçarin që ka lënë një plagë të madhe te rrogozhinasit.
Egnatia feston me fanellën e Dwamenas