VIDEO e arrestimit të Admir Tutaj në Kolumbi, fshihej me emrin Almirante: Anëtar i ‘Klanit Ballkanik’, furnizonte me armë mafian shqiptare në Angli

25 Gusht, 15:36| Përditesimi: 25 Gusht, 15:54

  • Share

Barranquilla- Detaje të reja dalin në dritë nga arrestimi i bujshëm në Kolumbi i shqiptarit Admir Tutaj (23 Gusht), i cilësuar si anëtar i një karteli shqipfolës, që merrej me trafikun armëve nga Shqipëria në Angli, të destinuara për klanet e organizuara kriminale.

Autoritetet kolumbiane konfirmuan bashkë me Policinë e Shtetit në Shqipëri, ndalimin për qëllime ekstradimi të tij dhe procedurat janë në ngarkim dhe sipër. Operacioni u bë në Durrës në muajin Prill të vitit të kaluar, teksa Tutaj mundi të arratisej dhe fshihej me identitet të rremë si Almirante Tutaj, në Kolumbi.

Në Korrik të këtij viti, GJKKO kishte dhënë masën “arrest me burg në mungesë” ndaj tij, teksa në dosje janë edhe 5 persona të tjerë të dyshuar. Media vendase ka zbuluar edhe detaje nga dosja hetimore dhe aksioni i forcave të rendit në Barranquilla.

Momenti i arrestimit të Tutajt

Fshihej me emrin Almirante Tutaj, cilësohet si anëtar i “Klanit Ballkanik”

“Personi i arrestuar kishte një njoftim të kuq nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale, Interpol. Policia Kombëtare nëpërmjet Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, Interpolit dhe Seksionit të Hetimeve Kriminale, Sijín, të Metropolit të Barranquilla, kreu ndalimin e një shtetasi shqiptar të identifikuar si Admir Tutaj, i njohur me pseudonimin 'Almirante Tutaj'”, shkruhet në raportimin e medias “Elheraldo”.

Më tej theksohet se i riu “është një person i shpallur në kërkim nga Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë”.

Admir Tutaj

Tutaj ishte në kërkim si “autor i dyshuar i krimeve të armëve, trafikimit dhe anëtarësimit në një organizatë kriminale, në të cilën ai kishte rolin e drejtimit të logjistikës dhe transportit për shitjen në tregun e zi të armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë, të cilat përdoreshin nga mafiozët shqiptarë”.

Tutaj u ndalua pas mbërritjes në Barranquilla dhe u la në dispozicion të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, përmes Drejtorisë së Çështjeve Ndërkombëtare. Më tej theksohet se “Admir Tutaj dyshohej se i përkiste grupit kriminal që tentoi të trafikonte armë dhe municione përmes Portit të Durrësit”.

Admir Tutaj duke u përcjellë për në Bogota

Në prill të vitit të kaluar, u sekuestruan saktësisht 8 pistoleta që po tentonin të hynin në Britaninë e Madhe, së bashku me një sasi të madhe municioni të fshehur në një kamion.

“Në mënyrë të ngjashme, në gusht të këtij viti, hetimet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit çuan në një bastisje që çoi në vendndodhjen e 25 armëve të zjarrit, përfshirë pistoleta dhe pushkë sulmi, të cilat, me sa duket, ishin të destinuara për trafik lokal”, raporton media kolumbiane, por pa dhënë detaje rreth operacionit në fjalë.

Tutaj është transferuar tashmë në aeroportin El Dorado, në Bogota, në pritje për t’u ekstraduar në Shqipëri.

Operacioni në Durrës më 2023, 8 pistoletat në furgon dhe masa e arrestit ndaj Tutajt

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit sqarohej më 23 Gusht, kur u njoftua edhe kapja në Kolumbi:

“Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim penal Nr. 91 datë 30.07.2024, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “trafikimi i armëve dhe municionit”, “forma të veçanta bashkëpunimi Organizatat Kriminale” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara kriminale”, parashikuar nga nenet 278/a, 28/4 333/a dhe 334 të Kodit Penal Shqiptar.

Pamje nga operacioni në Portin e Durrësit, qeni i Policisë zbulon pistoletat

Kjo masë ishte dhënë mbi bazën e një operacioni të zhvilluar vitin e kaluar. Më 10 prill 2023, Policia ka organizuar një aksion në pikën e kalimit kufitar të portit të Durrësit.

“Në mjetin furgon, tip “Benz”, me targa KS15MZN, u gjetën dhe u sekuestruan një arsenal armësh të fshehura në një tavolinë druri, në cilësinë e provës materiale si: 6 – armë zjarri pistoletë “GLOCK” me numra serie të fshira, një armë zjarri pistoletë “HERSTAL” me nr. 1534 P., 1 armë “BROWNING” me nr. 2205, 4, një sasi e konsiderueshme municioni dhe aksesorësh për armë të lehta”, theksohej në njoftimin zyrtar për këtë rast.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi Admir Turaj, në bashkëpunim me persona të tjerë si; A. H., A. Gj., R. Gj., B.T., dhe A. Gj., kishin siguruar këto armë në tregun e zi dhe organizuan trafikimin e tyre drejt Britanisë së Madhe.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?