Kronikë

Video e bujshme/ 7 vite më parë, ja si Suel Çela merrte përpara me 'Audi' policinë në mes të Elbasanit

26 Nëntor, 19:12| Përditesimi: 26 Nëntor, 19:36

  • Share

Prokuroria e Posaçme zbardhi ditën e sotme (26 nëntor) operacionin e ndodhur më 25 nëntor në qytetin e Elbasanit, ku u lëshuan në total 21 masa sigurie, duke përfshirë ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Gjykatës së Elbasanit, anëtarë të grupit të Suel Çelës dhe punonjës të mediave.

Bëhet fjalë për grupin kriminal që drejtohej nga shtetasi në kërkim ndërkombëtar Marjus Lulaj alias Suel Çela, i cili vepronte në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve europiane dhe Shqipërisë, si dhe goditjen e rivalëve të tij në Elbasan.

E teksa e gjithë vëmendja e mediave dhe autoriteteve është nga megaoperacioni i SPAK me qëllim “shpërbërjen” e grupit kriminal të drejtuar nga Çela, rikujtojmë ngjarjen e shtatorit të vitit 2017 kur Suel Çela merrte përpara me Audi të blinduar Policinë në mes të Elbasanit.

Mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit 2017, Policia e Elbasanit po zhvillonte një kontroll për verifikimin e automjeteve luksoze apo të dyshuara të trafikuara. Gjatë këtij operacioni efektivët ndaluan dhe kontrolluan një automjet luksoz “Range Rover” me targa “AA 040 OJ” me vlerë 100.000 euro. Aso kohe u raportua se drejtuesit të këtij mjeti iu kërkua që të shoqërohet për verifikim të dokumentacionit.

Mirëpo, në momentin që ky mjet po shoqërohej nga efekivët e “Shqiponjave”, një mjet tip “Audi” vjen me shpejtësi “skëterrë” dhe godet mjeti i zv/drejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi, duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve. Pas goditjes mjeti u fut në Tregun Ushqimor.

Për këtë ngjarje policia aso kohe vendosi në pranga tre persona, ndërkohë që u sekuestruan shtatë automjete, tre prej të cilave të blinduara si dhe një armë zjarri sportive.

Në pranga ranë Ledio Zhabeli dhe Kelmend Xhaferri, të cilët ndodheshin në automjetin “Range Rover”. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në banesën e tyre u gjet dhe sekuestrua një sasi kanabis dhe armë pa leje.

Po ashtu pas ngjarjes së 18 shtatorit u bë i mundur arrestimi edhe i rojës së Tregut Ushqimor, i cili nuk iu bind urdhrit të Policisë për të hapur derën ku u fut mjeti “Audi”  pasi përplasi automjetin e efektivëve.

Aso kohe Policia vuri në pranga shtetasin Enea Bekteshin, si personi që drejtonte automjetin që përplasi efektivët, mirëpo pas hetimeve sipas Prokurorisë rezultoi se drejtues ishte vetë “i forti”  i Elbasanit, Suel Çela, i cili u shpall i pafajshëm dhe u dënuan dy personat e tjerë. 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?