Apolonia U-19

VIDEO/ Ëndrra Champions League shuhet në Kroaci, Apolonia pëson sërish tre gola

2 Nëntor 2022, 18:04| Përditesimi: 2 Nëntor 2022, 18:07

  • Share

Apolonia U-19 humbi sot 3-1 në transfertë me Hajdukun e Splitit U-19, për ndeshjen e kthimit në play-off e Champions Leagues së moshave. Djemtë e Bledar Borovës nuk ia kanë dalë edhe në ndeshjen e kthimit, duke pësuar sërish tre gola. Edhe në ndeshjen e parë në Fier, bardhjeshilët humbën 3-0.

Në Kroaci të parët që kaluan në avantazh ishin tanët me anë të Maksutit në minutën e nëntë. Pas vetëm gjashtë minutash vendasit me Vrcic do barazonin gjithçka, teksa Apolonia mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Begaj në minutën e 33.

Pjesa e dytë foli për vendasit, që shënuan dy herë të tjera. Nazor në të 73 dhe Pukstas në të 77 minutë bënë që ëndrra për grupet e Champions League të shuhej për ekipin nga Fieri. Tanimë në kompeticionin e rëndësishëm për moshat U-19 kalon Hajduku i Splitit, që duhet thënë se ka një ndër akademitë më solide në Ballkan. Për Apoloninë U-19 kjo ishte hera e parë që mbërrinte në këtë nivel, me djemtë e Borovës që duhet të përfitojnë nga përvoja e fituar.

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?