Napoli fitoi 4-1 kundër Udineses për javën e gjashtë në Serie A. Në stadiumin "Diego Armando Maradona", kampionët në fuqi të Italisë u rikthyen te pikët e plota, teksa te goli për herë të parë këtë sezon doli edhe Khvicha Kvaratskhelia.
Në minutën e 74 të ndeshjes, sulmuesi nga Gjeorgjia luftoi për t'i marrë topin mbrojtësit dhe me vetëm një prekje nxori nga loja portierin Silvestri. Shumë klas dhe finesë në një prekje të vetme, me golin që është vlerësuar së tepërmi për mënyrën e realizimit.
Ky ishte goli i parë në pesë ndeshje për Kvaratskhelia, që po vuan një fillim sezoni jo fort të mirë. Pas tre ndeshjeve pa pikë të plota, Napoli është rikthyer te suksesi dhe shkon në kuotën e 11 pikëve për vendin e pestë.