Ballkani fitoi dje 3-4 me Sivasspor në Turqi, për ndeshjen e tretë në Conference League. Fitorja ishte e para për një klub nga Kosova në Europë, me Ilir Dajën që futi në histori skuadrën që e drejton nga dhjetori i vitit të shkuar. Goli i parë për Ballkanin u realizua nga kapiteni Thaqi, me perlën nga 25 metra që u zgjodh goli i ditës në Conference League.
UEFA i ka bërë jehonë realizimit të Armend Thaqit, që i hapi rrugë suksesit të Ballkanit. Mes pesë pretendentëve për golin e ditës, ishte goditja perfekte e kapitenit të Ballkanit që mori më shumë vota në sajtin e UEFA, për t'u shpallur si goli i mbrëmjes së djeshme. Me fitoren e djeshme, Ballkani shkon në vendin e parë me katër pikë, me golavarazh më të mirë se kundërshtarët, që poashtu të treja kanë nga katër pikë.