Arijan Topallaj del nga ringu me barelë

Sport

VIDEO/ Frikë për luftëtarin shqiptar të MMA, largohet nga ringu me barelë dhe dërgohet në spital

18 Maj, 15:45| Përditesimi: 18 Maj, 15:54

  • Share

Mynih, Gjermani - Sportisti shqiptar i garave ekstreme në kafaz, Arijan Topallaj ka humbur vetëdijen të shtunën gjatë përballjes kundër Denis Frimpong. Në përballjen e MMA në "Oktagon", Topallaj u mposht me "nokaut teknik" dhe u detyrua të dërgohej në spital, teksa doli nga ringu me barelë. Për fat gjendja nuk raportohet e rëndë, por goditjet në kokë në një sport ekstrem kanë lënë shenja për 26-vjeçarin.

NDESHJA - Denis Frimpong  mposhti me nokaut teknik luftëtarin shqiptar, Arijan Topallaj, të shtunën mbrëma në 'BMW Park'. 30-vjeçari nga Dublini zhvilloi një paraqitje të fortë dhe vendimtare, duke e detyruar gjyqtarin ta ndalonte ndeshjen në raundin e tretë, vetëm 44 sekonda pas fillimit.

Ndonëse fillimisht u përball me presionin e tifozëve dhe rezistencën fizike të Topallajt, Frimpong shfrytëzoi lodhjen e kundërshtarit për të marrë kontrollin e plotë të përballjes në raundin final. Me 100 goditje totale (47 më shumë se rivali), irlandezi dominoi skenën në fund, ndërsa Topallaj përfundoi i shtrirë në tokë dhe u nxor nga arena me barelë.

Sipas raporteve të para, 26-vjeçari Topallaj u dërgua në spital për ekzaminime të mëtejshme si masë paraprake, por nuk besohet të ketë pësuar lëndime serioze.

Pas fitores, Frimpong shpërtheu në lot gjatë intervistës, ndërsa ndau lajmin se po pret lindjen e djalit të tij javën e ardhshme.

“Ai tha (Topallaj) që nuk kisha zemër, por unë tregova më shumë se kaq. Jam këtu, rrezikova të mos isha në lindjen e fëmijës tim, por gruaja më dha forcën ta bëja këtë. E gjithë kjo ishte për të”, tha Frimpong.

Luftëtari me nofkën 'Kërcënimi' jo vetëm që siguroi një fitore të rëndësishme për karrierën e tij në MMA, por edhe një nga momentet më të përfolura të mbrëmjes, duke fituar respektin e publikut për forcën fizike dhe ndjeshmërinë njerëzore.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?