Shqipëria U-17 zhvilloi mesditën e kësaj të mërkure ndeshjen e parë kualifikuese kundër Francës U-17 në stadiumin ‘Air Albania’, e vlefshme për fazën ‘Elite Round’ të Kampionatit Europian 2023. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku u mposhtën nga kampionët në fuqi të Europës, me rezultatin 4-0.
Dueli u zhbllokua në minutën e 26-të nga Menadjou, teksa pas vetëm tre minutash kuqezinjtë pësuan sërish me Issoufou. Edhe pjesa e dytë foli për "Gjelat", që shënuan edhe dy herë të tjera me Bouned (68) dhe Lambourde (85).
Në grupin B të kësaj faze, kuqezinjtë e vegjël kanë kundërshtarë edhe Letoninë dhe Zvicrën, me fokusin që është te duelet e radhës. Sfida e dytë e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Zvicrës, të shtunën e 25 marsit në stadiumin ‘Air Albania’ më 17:00, ndërsa ndeshja e tretë është ajo kundër Letonisë po në stadiumin ‘Air Albania’, e planifikuar të luhet në 28 mars.
Trajneri Bulku hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amarildo Dervishi (GK), Ernesto Bakiu, Adi Kurti (C), Alion Damini, Jordi Jaku, Frederik Tosku, Flavio Sulejmani, Ergi Bastari, Dean Vraniçi, Kledi Marinaj, Egert Selmani.