ITALI - Stiven Shpendi ka gjetur golin me Carrarese në Serinë B të futbolit në Itali. Sulmuesi i Kombëtares realizoi një 'perlë' nga jashtë zonë duke lënë të shtangur portierin e Palermos.
Për raundin e 38-të dhe të fundit në Serie B, Palermo dhe Carrarese barazuan 1-1 në një ndeshje me raste dhe gola. Pas vetëm 16 minutash lojë, Stiven Shpendi mori një pasim nga Cherubini, e kontrolloi bukur, bëri një lëvizje me shpinë dhe pa u menduar dy herë goditi portën.
Sfera "u bind" dhe përfundoi në trekëndëshin e majtë të portierit Audero, duke lënë këtë të fundit pa një mundësi reagimi, por vetëm të shoqëronte sferën me sy.
Këtë sezon Shpendi luajti si i huazuar te Carrarese dhe në 25 ndeshje ia ka dalë të shënojë katër gola dhe të asistojë në dy raste. 21-vjeçari i Kombëtares do rikthehet në klubin mëmë, atë të Empolit, me këta të fundit që në dy javët e mbetura në Serie A do mundohen të shpëtojnë sezonin duke mbijetuar.
Komente
