Mesfushori i Kombëtares, Qazim Laçi është një pikë fikse e Spartës së Pragës në Çeki. Veç muskujve në mesin e fushës, Laçi ka treguar se është i aftë edhe të shënojë.
Goli i tij nga goditja e dënimit në eliminatoret e Champions League kundër Copenhagen është shpallur si më i bukuri në një votim për skuadrën e tij. Paçka se shënon pak, Laçi ka marrë "kurorën" për golin më të bukur të vitit 2023 në ekipin e Spartës.
Goli me Copenhagen në ndeshjen kualifikuese u shënua në shtesë (3-3), teksa pas penalltive, një e shënuar nga Laçi, ishte Copenhagen që u tregua më e saktë dhe shkoi në grupet e Champions. 27-vjeçari nga Peshkopia është një element i rëndësishëm edhe për Kombëtaren kuqezi, me trajnerin Sylvinho që e ka në plane.