VIDEO/ Hasani kryeson takimin ‘Armeni-Azerbajxhan’ në OKB: Përpjekje për të arritur paqe të qëndrueshme

22 Shtator 2023, 11:58| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 17:16

  • Share

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB, ka kryesuar takimin “Armeni – Azerbajxhan” në të cilën u trajtua përshkallëzimi i fundit ushtarak në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ministri Hasani u shpreh në fjalën e tij se, “raportimet për përplasje ushtarake, me pasojë humbje në jetë njerëzish ishin shqetësuese. Kemi ndjekur me interes zhvillimet e fundit në terren”.

Ai theksoi se, argumentet e paraqitura nga palët ndryshojnë shumë.

“Azerbajxhani pretendon se Armenia po organizonte akte armiqësore. Armenia vlerëson se ky ishte një sulm ushtarak në shkallë të gjerë kundër popullsisë civile”, tha Hasani.

Sipas tij, këto konfirmojnë brishtësinë ekstreme të situatës dhe mosbesimin e madh mes palëve.

Hasani përsëriti thirrjen që të mbahet prioritet mbrojtja e civilëve dhe ruajtja e zonave të banuara.

“Pavarësisht sa komplekse mund të jenë problemet, konfrontimi ushtarak nuk është zgjidhja.Ne bëjmë thirrje për përmbajtje, qetësi, paqe dhe dialog”, theksoi ai.

Hasani gjithashtu përshëndeti arritjen e marrëveshjes së armëpushimit për të ndaluar veprimet ushtarake.

“Të dyja palët duhet t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm”, tha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Më tej Hasani theksoi mbështetjen për përpjekjet Armeni-Azerbajxhan për të arritur një paqe të qëndrueshme.

“Procesi i normalizimit duhet të intensifikohet. Negociatat për një traktat paqeje duhet të vijojnë”, tha ai.

Ministri u shpreh se është inkurajues fakti që udhëheqësit e dy vendeve kanë rikonfirmuar publikisht angazhimin e tyre ndaj Deklaratës së Almatit

“Respektimi i ndërsjellë i sovranitetit dhe integritetit territorial, bazë solide për të trajtuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet. Shpresojmë që takimi i planifikuar në Yevklah do të sjellë rezultate pozitive”, nënvizoi Hasani.

“Të drejtat e armenëve etnikë që jetojnë në Azerbajxhan duhet të respektohen. Nëse respektohen, komunitetet dhe pakicat kthehen në një vlerë të shtuar për shoqërinë e një vendi. Mund të shërbejnë si urë për marrëdhënie paqësore dhe miqësore midis vendeve fqinje”, u shpreh ndër të tjera, Hasani.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?