SLLOVENI - Maribor fitoi të enjte 4-3 kundër Differdange, për të kaluar në turin e tretë të Conference League. Heroi i sllovenëve ishte Xhuliano Skuka, me sulmuesin e Kombëtares kuqezi që fitoi penalltinë për të tijtë në limitet e sfidës. Me rezultatin që ishte 3-3 dhe ndeshjen që iu drejtua 30 minutave shtesë, trajneri hodhi në fushë Skukën.
Duhej minuta e 120 që shqiptari të fitonte një 11 metërsh, që më pas u kthye në gol nga Ilicic. Kësisoj edhe në këtë duel dhe pse me minutat jo të plota, Skuka sërish është kthyer në protagonist duke i dhënë një dorë të tijve për kalimin e turit.
Në katër ndeshjet evropiane, Skuka ia ka dalë që edhe pse me vetëm 88 minuta në këmbë të shënojë një gol. Po një gol ish-sulmuesi i Partizanit e ka shënuar edhe në kampionat.