Serie A e futbollit në Itali mbylli të hënë raundin e 23-të. Në Sardegna vendasit e Cagliarit u mposhtën 1-2 nga Lazio. Për miqtë protagonist me asist ishte edhe Elseid Hysaj, ndërkohë që mbrojtësi la fushën i dëmtuar.
Ndeshja nisi mirë për kryeqytetasit të cilët shënuan me Dia pas 16 minutash, por goli u anulua për prekje të topit me dorë. Që Lazio të gjente golin e avantazhit do mendonte Hysaj, me mbrojtësin e Kombëtares që dhuroi një pasim të bukur nga e djathta e sulmit në minutën e 41-të, teksa Zaccagnin nuk e pati të vështirë të shënonte.
Ishte Piccoli në pjesën e dytë i cili barazoi përkohësisht, para se Castellanos të shënonte golin e dytë dhe të tri pikëve për Lazion. Ndërkohë minuta e 42-të solli daljen nga fusha të Hysajt pas një lëndimi të muskulit të këmbës së majtë. Nga ana tjetër Alen Sherri qëndroi në stol te Cagliari.
Me këtë sukses Lazio rimerr vendin e katërt me 42 pikë, teksa Cagliari me 21 pikë mbetet në pozitën e 17-të.