VIDEO/ Interi tripletë 'kushërinjve' të Milanit, Superkupa e Italisë mbetet zikaltër! Asllani merr minuta

18 Janar 2023, 22:01| Përditesimi: 19 Janar 2023, 14:28

  • Share

Interi mundi 3-0 Milanin në finalen e Superkupës së Italisë dhe mban sërish edhe për një vit trofeun. Fituesit e sezonit të shkuar kanë dominuar Milanin, duke marrë "hak" për dy humbjet e fundit që kuqezinjtë i kanë shkaktuar. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin kombëtar "Mbreti Fahd" në Riad të Arabisë Saudite foli vetëm për zikaltërit, me djemtë e Piolit që asnjëherë nuk dolën në lojën e tyre.

Të besuarit e Inzaghit kaluan në avantazh pas vetëm 10 minutave lojë, kur asisti i Barellas u shfrytëzua bukur nga Dimarco. Mëngjarashi i Inter nuk mund të gabonte me portën e boshatisur duke e ndalur sferën në rrjetë. Në minutën e 21, Inter "hipotekoi" fitoren me golin e dytë. Edin Dzeko me një të djathtë mposhti portierin Tatarusanu.

Në pjesën e dytë, sërish loja foli për Interin. Duhej minuta e 77 që Lautaro të shënonte një nga golat më të bukur në karrierë. Pasimi i Skriniar nga gati 60 metra nuk u ndal nga mbrojtja e Milan, me argjentinasin që goditi bukur me të jashtme dhe e dërgoi në rrjetë.

Në minutën e 84 të ndeshjesh kishte vend edhe për Kristjan Asllanin, që mori vendin e Calhanoglu. Inter del me kokën lart nga finalja e Superkupës, duke "ngjyrosur" sërish trofeun zikaltër. Trofeu i parë i sezonit shkon për Interin, me Milan që do duhet të korrigjojë shumëçka në lojë.

Ora 22:55
Stefano Pioli pas humbjes me Interin në finale: Nuk po jetojmë momentin tonë më të mirë

Trajneri i Milan, Stefano Pioli komentoni për Mediaset humbjen e të tijve në finalen e Superkupës kundër Interit 3-0.

“Luajtëm një pjesë të parë që nuk ishte e duhura për një ndeshje si kjo, duke bërë shumë gabime. Më pas u bë një ndeshje e komplikuar. Ne u përpoqëm ta rihapim atë me një fillim të mirë të pjesës së dytë, por në përgjithësi bëmë shumë pak.

Si i shpjegoni gabimet e disa prej lojtarëve tuaj kyç? Ne nuk jemi mësuar të komentojmë këto gabime, veçanërisht nëse i bëjmë kundër kundërshtarëve që ju ndëshkojnë. Ne nuk po jetojmë momentin tonë më të mirë, duhet të bëjmë më shumë", tha Pioli.

Ora 22:48
VIDEO/ 'Braziliani' i Kombëtares, si Kristjan Asllani nxori bllof Hernandezin me një lëvizje në finale

Kristjan Asllani u fut në fushë në minutën e 84 në vend të Calhanoglu, në finalen e Superkupës së Italisë, aty ku Inter fitoi 3-0 me Milanin. Mesfushori shqiptar ka bërë një veprim që po përmendet shumë në mediet tej Adriatikut. Në fundin e ndeshjes, Asllani ka marrë një pasim dhe me një veprim plot fantazi ka nxjerrë bllof Theo Hernendez, duke treguar klasin e tij.

Ora 22:30
Triumfi në finale me Milanin, Inzaghi: Bëmë ndeshjen perfekte, është e mrekullueshme

Pas sukseseve në Superkupën e Italisë në krye të Lazios në vitet 2017 dhe 2019, Simone Inzaghi e përsërit dy herët edhe me Interin. Është Superkupa e tij e katërt e Italisë, e dyta radhazi pas asaj që fitoi kundër Juventusit një vit më parë.

"Djemtë ishin shumë mirë për të luajtur një ndeshje perfekte. Të kthjellët dhe kompakt, sonte ne po e shijojmë këtë trofe dhe duke filluar nga nesër do të mendojmë për kampionatin. Të fitosh në një ndeshje si kjo kundër Milanit në një finale është e mrekullueshme", tha Inzaghi.

Ora 22:23
Veprim i çuditshëm në finalen e Superkupës së Italisë, topi i golit të parë vendoset 'në kornizë'

Inter fitoi 3-0 me Milanin në finalen e Superkupës së Italisë. Tej trofeut, pas golit të parë nga Dimarco një veprim i çuditshëm i arbitrit u pa në transmetim. Gjyqtari i katërt mori topin dhe e vendosi në një kuti xhami. Nuk dihet nëse topi me të cilin u shënua goli i parë do dalë në ankand apo do qëndrojë aty deri në finalen e vitit që vjen.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?