Italia e 19-vjeçarëve është kampione e Europës në futboll. Të kaltrit mundën në finale moshatarët e Portugalisë minimalisht 1-0, duke ngritur trofeun mbi qiellin e Maltës. Një gol vendosi ndeshjen, teksa protagonist u bë shqiptari Luis Hasa.
Djaloshi pasi çoroditi mbrojtjen luzitane, krosoi bukur nga e majta e sulmit për Kayode, me këtë të fundit që kërceu mbi të gjithë duke shënuar golin e vetëm që i dha trofeun skuadrës së Alberto Bollinit.
Pak shije shqiptare në këtë sukses të Italisë, me Hasën që është vendimtar në mesin e fushës dhe shihet me të ardhme te Juventusi. Pjesë e bardhezinjve që prej akademisë, tanimë 19-vjecari i lindur në Sora (Italia) është bashkuar me U-19 e "Zonjës". Ai ka luajtur gjashtë ndeshje me U-18 e Italisë dhe 14 me U-19, duke mos dashur të jetë pjesë e Shqipërisë.
"Ëndrra ime më e madhe është të luaj në Serie A me Juventusin. Ky është qëllim im kryesor, Juventus është familja ime e dytë dhe është një nga gjërat më të bukura të jem pjesë e tyre. Krahasimi me Del Pieron? Jam i lumtur dhe më bëhet qejfi për këtë krahasim, por nuk e mendoj shumë. Ai ishte një lojtar i madh, ju lutem unë dua të jem thjesht Hasa, kaq më mjafton", tha Hasa.