Superliga shqiptare e futbollit është në javën e dytë. Në “Kukës Arena” vendasit e Rraman Hallçit humbën 0-4 nga Egnatia, duke treguar se ky edicion në elitën e futbollit do jetë ndryshe, teksa nuk pretendohet më kreu i renditjes, por mbijetesa.
Miqtë nga Rrogozhina dominuan që në minutat e para, duke vendosur diktatin në fushë. Do duhej minuta e 19-të që Paulauskas të zhbllokonte sfidën pas një krosimi nga këndorja. Më pas ishte Duamena që përfitoi nga pasimi i Ndrecës dhe që jashtë zone e ndali sferën në rrjetë në të 28 minutë. Për t’u përmendur se në pjesën e parë tifozët e Kukësit hodhën sende jo të lejuara në fushë, me Duamenën që u goditi në kokë, por pa rrezikuar.
Pjesa e dytë nisi sërish me gol, teksa Duamena do gjente golin e tretë të ndeshjes dhe të dytin personal. Vendasit nuk ngritën kokë edhe në vijim, ndërsa në të 57 minutë pësuan edhe golin e katërt nga Isgandarli.
Pas humbjes 0-1 me Skënderbeun në javën e parë, Egnatia merr tri pikët e para këtë edicion. Nga ana tjetër, Kukësi humbet sërish pas disfatës me Vllazninë, teksa në dy ndeshje kanë pësuar shtatë gola.