Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi është renditur në vendin e 25 në Botërorin e Skive që po zhvillohet në pistën e Sestiere në Itali për kategorinë "Slalom". 16-vjeçarja e natyralizuar si shqiptare bëri një paraqitje të mirë duke konsideruar se po garonte në një event të një niveli të lartë.
Në provën e parë Colturi zuri vendin e 29 (1 minutë, 1 sekondë dhe 53 të qindtat) duke marrë të drejtën për të provuar edhe një hedhje të dytë në kategorinë "Slalom". Prova e dytë ka qenë bindëse, me Colturin që la pas pesë kundërshtare dhe në total u rendit në vendin e 25.
Kujtojmë se edhe dy javë më parë në garën e Killington në SHBA (Slalom) Lara ia doli të marrë pikë për Shqipërinë në garën e skive, duke shkruar historinë për vendin tonë në këtë disiplinë. Lara vlerësohet nga specialistët e huaj për talentin e madh në këtë sport, ndërsa si trajnere ka nënën e saj, kampionen Daniela Ceccarelli.