Mesfushori i Kombëtares, Qazim Laçi ka shënuar gol për Spartën e Pragës. Në sfidën e javës së 10-të në kampionatin çek të futbollit, luftaraku i mesfushës hapi ndeshjen kundër Viktoria Plzen pas vetëm dy minutave lojë.
Pas një aksioni të bukur, Laçi nuk gaboi nga pranë portës për t'i dhënë të tijve avantazhin. Në pjesën e parë Plzen barazoi me Durossinmi, teksa më pas Sparta shënoi sërish me Kuchta.
Kujtojmë se Qazim Laçi është një pikë fikse e mesfushës kuqezi dhe duket gati për ndeshjen e 12 tetorit kundër Çekisë në "Air Albania", duel që vlen për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E.
I dëmtuar në grumbullimin e fundit, Laçi ka lënë pas lëndimin dhe është gati për Sylvinhon. Pas supergolit në kualifikueset e Champions javë më parë, tanimi Laçi gjen golin e parë për këtë sezon në Fortuna Liga.