Holanda humbi 2-4 me Kroacinë pas 120 minutave lojë, teksa në stadiumin "De Kuip" në Rotterdam ishin miqtë që siguruan një biletë për në finalen e Ligës së Kombeve që zhvillohet të diel. Ndeshja gjysmëfinale pa 37-vjeçarin Luka Modric në një formë të shkëlqyer, teksa asistoi dhe shënoi në një përballje dramatike.
Dueli u hap nga Malen, që në të 34 minutë kaloi Holandën në avantazh. Me pjesën e parë që u mbyll me këto shifra, gjithçka ishte lënë për në fraksionin e dytë. Kramaric me penallti në të 55 barazoi shifrat, teksa Pasalic gjeti rrjetën në të 72 minutë, duke përmbysur 'Tulipanët'.
Kur dukej se gjithçka ishte mbyllur, në të 90+6 minutë ishte Lang që barazoi për 2-2, duke i dërguar skuadrat në 30 minutat shtesë. Në të 98 ishte Petkovic që pas asistit të Modric shënoi për 2-3, teksa mesfushori i Real Madrid që në të 116 minutë shënoi nga penalltia për të dërguar shifrat në 2-4.
Kroacia merr kështu biletën për në finalen e Ligës së Kombeve, teksa pret sot të mësojë kundërshtarin që del nga përballja mes Spanjës dhe Italisë që zhvillohet në 20:45 në "De Grolsch Veste" të Enschede (Holandë).