Taulant Seferi është rikthyer sërish protagonist në Ukrainë. Sulmuesi shqiptar këtë herë nuk ka shënuar gol por është ndëshkuar me karton të kuq. Në ndeshjen mes Kryvbas 1-0 Vorskla për javën e 12 në elitën ukrainase, 25 vjeçari ka marrë dy kartona të verdhë brenda 39 minutave të para të lojës, duke lënë të tijtë me një lojtar më pak, gjë që ndikoi në humbjen e Vorskla.
Kartoni i parë i verdhë u akordua në minutën e 18, me shqiptarin që duhet të ishte treguar më i kujdesshëm. Në të 39 minutë, Seferi ka kërkuar një kontakt në zone, teksa rrëzimi dhe kërkimi i 11 metërshit bënë që arbitri Romanov ta konsideronte lëvizjen si "mashtrim", duke akorduar edhe kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë të kuqin. Gjatë këtij sezoni në Ukrainë, në 12 ndeshje Seferi ia ka dalë të gjejë dy herë rrugën e rrjetës, teksa ka kontratë deri në 2025 me Vorskla.