Mali i Korabit është kthyer në një prej destinacioneve më të preferuara të turizmit malor. Të gjithë ata që pëlqejnë ecjen në natyrë, por edhe sfidat ekstreme, i drejtohen këtij mali, i cili është i katërti për nga lartësia në Europën juglindore.
Por jo vetëm! Një grup të apasionuarish pas sporteve në terrene të vështira kanë vendosur të ngjisin Korabin me motor. Videoja është publikuar në faqen e kryeministrit Edi Rama.
'Mali i Korabit, jo vetëm një prej krenarive tona natyrore, por tashmë edhe destinacion i të pasionuarve pas sporteve në terrene të vështira' shkruhet në postimin e Ramës.
Ngjitja drejt majës më të lartë të Korabit, e cila është 2764 metra, nis nga fshati Radomirë dhe ka një distancë prej 9.5 kilometrash.