Inter Miami në SHBA dhe Al Nassr në Arabinë Saudite e kanë një të përbashkët, që të dyja klubet u eliminuan nga garat ndërkombëtare në një ditë. Pjesë e klubeve respektive janë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Eliminimi i Inter Miamit - Në gjysmëfinalet e Champions Cup në zonën e Amerikës së Veriut dhe asaj qëndrore, Inter Miami u mposht 1-3 kundër Vancouver Whitecaps. Skuadra e Lionel Messit shënoi e para me Jordi Alba, por miqtë përmbysën në pjesën e dytë me White, Vite dhe Berhalter. Messi luajti për 90 minuta dhe paçka se u vlerësua më i miri për ekipin e tij, nuk mund të shmangte dot eliminimin.
Humbja e Al Nassr - Fatin e Lionel Messit e pati edhe Cristiano Ronaldo. Në Riad, vendasit e Al Nassr u mposhtën 2-3 nga japonezët e Kawasaki Frontale dhe janë jashtë Champions League të Azisë në fazën gjysmëfinale. CR7 qëndroi në fushë, por pa mundur të shënonte.
Komente
