"Mbreti i futbollit", Pele është përcjellë nga mijëra tifozë për në banesën e fundit. Në 29 dhjetor 2022 legjenda e futbollit ndërroi jetë në spitalin "Albert Einstein" në Sao Paolo, teksa për të dytën ditë në stadiumin "Urbano Caldeira" mijëra tifozë i dhanë lamtumirën legjendës së futbollit që fitoi tre herë Kupën e Botës me Brazilin.
Sipas klubit të Santos, mbi 150 mijë tifozë bënë homazhe për Pele, duke qenë pranë arkmortit me trupin e pajetë të 82-vjeçarit. Në orën 14:00 (me atë shqptare), Pele ka bërë udhëtimin e fundit mbi një zjarrfikëse (mbuluar me flamurin e Brazilit), në mënyrë që tifozët e shumtë që ndiqnin me lule makinën, të kishin mundësi të përshëndeteshin për herë të fundit me Pele.
Mijëra tifozë u vendosën krah rrugës, duke shoqëruar legjendën e futbollit për në banesën e fundit. Rrugët e Sao Paolos u pushtuan nga mjete dhe tifozë të shumtë, të cilët paralizuan trafikun, ndërsa forca të shumta sigurie u kujdesën që situata të normalizohej.
Mëngjesin e së martës në stadium për funeralin e Pele ishte edhe presidenti i Brazilit, Lula da Silva. Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj në histori dhe Brazili mbajti tre ditë zie kombëtare pas vdekjes së tij.