ITALI- Mediat italiane kanë publikuar me video momentin kur 41 vjeçari nga Kosova Bujar Fandaj kapërceu gardhin për të hyrë në shtëpinë e 27 vjeçares shtatzënë Vanessa Ballan të cilën e vrau duke e goditur disa herë me thikë.
Kamerat e sigurisë në kopshtin ngjitur me shtëpinë e Vanessës në provincën e Trevisos kanë filmuar momentin kur Fandaj kapërcen gardhin për të hyrë në banesën e të resë.
Ai shihet me një çantë në shpinë, brenda së cilës siç raportuan më herët mediet italiane kishte dy thika, njërën prej të cilave e përdori për të vrarë gruan shtatzënë.
Vanessa Ballan u vra në pragun e shtëpisë e goditur të paktën shtatë herë më thikë nga ish-i dashuri. Pas një viti lidhje, 27 vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund gjatë verës, por shqiptari nga Kosova nuk e kishte pranuar ndarjen. Ky i fundit kishte filluar ta përndiqte duke u shfaqur disa herë në vendet ku ajo punonte, apo dhe në shtëpinë e saj duke e kërcënuar se "do ta vriste" në rast se nuk ribashkoheshin. 41-vjeçari nga Kosova donte që e reja shtatzënë të ndahej nga partneri i saj dhe të shkonte të jetonte me të në San Vito di Altivole, pak kilometra nga Spineda di Riese Pio X (Treviso), ku ndodhi tragjedia.
Episodi që ishte një sinjal i fortë për krimin e rëndë ka ndodhur kur ai i shkoi në shtëpi përsëri në muajt e verës. Vanessa kishte filluar ta ndjente rrezikun dhe vendosi ti tregojë gjithçka partnerit të saj Nicola Scapinello, duke e bindur që ta shoqëronte për të bërë denoncim. Më 25 tetor ata bënë një denoncim në polici dhe më 27 tetor policia kontrolloi shtëpinë e Fandajt, duke sekuestruar tre telefona, në të cilët ndodheshin video intime me të cilat ai e kërcënonte se do t'i publikonte. Por pas sekuestrimit të telefonave nuk u mor asnjë masë tjetër, derisa ndodhi dhe vrasja makabre.
27-vjeçarja u gjet e vrarë në derën e shtëpisë së saj në fshatin Spineda di Riese Pio X dhe ishte disa muajshe shtatzënë në pritje të fëmijës së dytë.