Java e gjashtë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në Shqipëri është mbyllur në "Farie Hoti". Në kryeqytet Tirana ka humbur 92-93 nga Besëlidhja. Lezhjanët janë treguar më të saktë në fund, duke përmbysur duelin në pjesën e dytë. Ndeshja ka qenë me emocione të forta, teksa Pallati i Sportit ka qenë thuajse i mbushur. Me këtë fitore, lezhjanët i bashkohen kryesuesve të Teutës, Tiranës dhe Apolonisë.
Perioda e parë në këtë duel foli për bardheblutë, 23-20. Në periodën e dytë miqtë fituan 22-25 duke marrë veten. Nisja e pjesës së dytë foli për Tiranën, që e mbylli 30-24 periodën e tretë. Në periodën e katërt, Besëlidhja fitoi 17-24 duke e dërguar ndeshjen në 92-93. Në fund emocione të mëdha për një ndeshje që ishte e denjë për NBA.
Në periodën e dytë pati edhe një ndodhi të pakëndshme mes arbitrave dhe trajnerit të Tiranës, Erkand Karaj. Protestat e teknikut nuk janë toleruar nga arbitri kryesor, që e ka nxjerrë jashtë. Te Tirana më i miri Seth Carter me 28 pikë, 1 rebaund dhe 1 asist, teksa te Besëlidhja Jordan Robinson shënoi 46 pikë, 10 rebaund dhe 3 asiste. Pas gjashtë javësh, Teuta, Tirana, Besëlidhja dhe Apolonia kanë 10 pikë, teksa Kamza 8 pikë dhe Vllaznia 6 pikë.