TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit niset sot drejt Moldavisë, aty ku nesër në 18:00 luan sfidën e fundit kualifikuese të grupit E për Euro 2024 kundër vendasve. Një pikë mjafton që kuqezinjtë të kalojnë më tej, teksa festa ka nisur mes lojtarëve dhe stafit të ekipit.
Shkak për këtë është bërë ditëlindja e Taulant Seferit. Lojtari i Baniyas mbushi 27 vjeç dje, me stafin që i kishte përgatitur një surprizë sulmuesit. Pasi fiku dritat e tortës, anësori nga Kumanova nuk mund të mos këndonte "himnin" e këtyre kualifikueseve.
"Gjermania o mor vëllezër nuk është si përpara", këndon Seferi, që duket se ia ka dedikuar këtë këngë Etrit Berishës. Mes urimeve për ditëlindjen e Seferit, vetë lojtari kërkon që nesër të marrë nga grupi dhuratën më të shtrenjtë, atë të kualifikimit për herë të dytë në një turne si Europiani.