ANGLI - Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka shënuar një tjetër fitore të shpejtë dhe dominuese për peshat e rënda, duke e çuar bilancin e tij të fitoreve në 23-0 me një performancë të shkëlqyer në Ipswich të shtunën në mbrëmje. Shkodrani hodhi në tapet me "K.O" rivalin Patrick Korte dhe mbron titullin WBO për zonën evropiane.
Në moshën 40-vjeçare Hysa sfidoi Patrick Korten duke e dominuar. Kjo ishte një përballje që Hysa e mbylli shumë shpejt, duke e mposhtur Korten me një dominim të plotë dhe me një shpejtësi që surprizoi të gjithë.
Hysa ruajti titullin e tij të WBO-së për Evropën në peshën e rëndë, duke e mposhtur Korten (22-5-1) brenda dy raundeve, me një kombinim goditjesh të fuqishme dhe surprizuese shpejtësie.
Me këtë fitore, Hysa ka arritur 21 nokautë në 23 fitoret e tij dhe duket se është në një formë të jashtëzakonshme, pavarësisht moshës 40-vjeçare. Ai po tregon që është gati të bëjë një kalim në nivele më të larta të boksit, teksa është i pamposhtur.
Një duel me Moses Itauma është diskutuar kohët e fundit dhe pas fitores së tij, Hysa e sfidoi atë drejtpërdrejt gjatë intervistës pas ndeshjes, duke i thënë: “Itauma, po të pres në ring!”
Përballja Hysa vs Korte
Hysa mori kontrollin e ndeshjes që në fillim ndaj Korte, duke e shfrytëzuar avantazhin e madh në gjatësi, por gjithashtu duke i treguar superioritetin në shpejtësinë e këmbëve dhe duarve.
Në raundin e parë, ai e la Korten në vështirësi me një goditje të lehtë që e tronditi trupin e gjermanit dhe e detyroi atë të bjerë në gjunjë për një çast. Korte arriti ta mbyllë raundin, por ishte e qartë se mundësitë e tij për të mbijetuar në raundin e dytë ishin të pakta dhe kështu ndodhi.
Hysa vazhdoi të përdorte një "jab" të mprehtë për të pasuar një goditje të fortë me dorën e djathtë, e cila e dëmtoi Korten shumë herë. Në raundin e dytë, Hysa e mbylli ndeshjen kur një goditje e djathtë e pasuar nga një seri goditjesh të tjera e dërgoi Korten në tapet. Korte u ngrit në numërimin 9, por ishte e qartë që ai nuk ishte në gjendje të vazhdonte dhe ndeshja u ndërpre.
Me këtë fitore të shpejtë dhe të pastër, Hysa e ka vendosur veten në qendër të diskutimeve për një mundësi të madhe për t'u ndeshur kundër Moses Itauma dhe tani të gjithë presim të shohim çfarë do të ndodhë më tej.
Komente

Bravo shqipe Burr i modh tamam shqiptar
Përgjigju