Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar fanellat e reja që 'Shqiponjat' e Kombëtares do veshin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Lojtarët e drejtuar nga Sylvinho do të veshin fanellat e reja që në ndeshjen e parë të fazës kualifikuese që do të zhvillohet më 21 mars kundër Anglisë në Londër.
Fanellat e reja (fanella e parë e kuqe, fanella e dytë e bardhë dhe fanella e tretë e zezë) përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës me dy krena, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.
Brenda dizajnit të shqiponjës, e cila është e pranishme në mëngë, në pjesën e përparme dhe të pasme të fanellës, janë përfshirë shumë simbole, secili me një kuptim specifik: Shqiponja jonë dykrenore, e ndërtuar nga detaje që pasqyrojnë bukurinë, natyrën dhe shpirtin e pasur shqiptar, mban në krahët e saj malin, lumin, diellin dhe detin, simbole të fuqisë dhe bukurisë së jetës sonë.
Kjo shqiponjë mban lart guximin historik të Gjergj Kastriotit, duke na kujtuar traditat tona më të thella, me kundërshtarin në mes, përballë syve të shqiponjës.
Një shqiponjë që simbolizon zemrën, bashkimin, krenarinë, pak dinakëri dhe një pasion të thellë për lojtarët tanë, heronjtë modernë që vijnë nga katër anët e botës për të përfaqësuar me krenari Shqipërinë në çdo sfidë në fushë.
Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është në ngjyrën tradicionale të kuqe (ngjyrën e flamurit shqiptar) me një shirit kuq e zi në pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve. Grafika karakteristike është e stampuar në pjesën e përparme dhe të pasme, duke formuar një shqiponjë të plotë, e përbërë nga elementë si Gjergj Kastrioti, mali, deti, anija, yjet, dhelpra etj., elementë të historisë dhe folklorit shqiptar ndër shekuj.
Në pjesën e pasme të qafës, është shtypur në ngjyrë të zezë shkrimi “SHQIPËRI”. Një detaj tjetër personalizuar i fanellës së re të kombëtares shqiptare është shiriti i brendshëm, i vendosur pas, me frazën “Ti Shqipëri, më jep nder” e ndjekur nga simboli i shqiponjës dykrenore. Fanella e parë përfshin gjithashtu pantallona të zeza, të cilat, për shkak të një grupi ngjyrash të kuqe dhe të zezë në fundin e kofshës dhe profilit të segmentuar në anë, i japin stil të dizajnit të pantallonave klasike të basketbollit. Çorapet janë gjithashtu të zeza me një vijë të kuqe lart dhe një vijë të zezë në mes.
Fanella e dytë dhe e tretë pasqyrojnë saktësisht grafikën e fanellës së parë dhe dallohen për ngjyrën dominuese: Fanella e dytë është e bardhë me detaje kuqezi (pantallona të bardha me vijë anësore të kuqe dhe të zeza, çorape të bardha me vijë anësore të zeza dhe një vijë horizontale të kuqe); Fanella e tretë është e zezë me detaje të kuqe (pantallona të zeza dhe çorape të zeza me vija anësore kuqezi).
Komente
