Italia barazoi 1-1 kundër Maqedonisë së Veriut në Shkup, me ndeshjen që vlente për kualifikueset e Euro 2024. Të kaltrit kaluan të parët në avantazh, ndërsa ishte kapiteni vendas Enis Bardhi që me një goditje dënimi vendosi ekuilibrat në pjesën e dytë.
Gianluigi Donnarumma është vendosur në qendër të kritikave, me portierin që pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut po kalon një periudhë të vështirë. Gardiani i Paris Saint Germain duket se tashmë me paraqitjet e tij ka vendosur në pikëpyetje edhe vendin e titullarit te të kaltrit.
Të gjitha kritikat vijnë për vendosjen e tij në portë, duke mos reaguar si duhet në goditjen e Bardhit, teksa sfera ishte nga krahu që Donnarumma duhet të mbronte dhe jo nga ana e murit.
Në një video të xhiruar nga një spektator i pozicionuar në lartësinë e fushës, mund të shohim sesi menaxhimi i goditjes së dënimit ishte i gabuar që në fillim, nisur që nga udhëzimet e dhëna për murin mbrojtës.
Gabimi më i madh duket se ka të bëjë me pozicionimin e Donnarumma-s, pasi ai gabimisht bën një hap drejt qendrës, gjë që nuk i lejon të reagojë në kohë pas gjuajtjes së Bardhit.