Kategoria e Tretë e futbollit në Shqipëri zhvilloi dje ndeshjen mes Skraparit dhe Basania. Në kompleksin e skuadrave kombëtare në Kamzë, skraparllinjtë fituan 2-0 në një ndeshje që ka pasur një tension dhe panik në fundin e saj. Në minutën e 79 të ndeshjes sulmuesi i Skraparit, Elton Lame bëri një ndërhyrje të ashpër mbi portierin Besmir Muçejani.
Gardiani i Basania u shemb në tokë teksa sipas raportimeve të klubit me vendndodhje në Shkodër gjuha e Muçejanit "kaloi poshtë" dhe u desh ndërhyrja e mjekut Zija Gapi që gjendja e gardianit të stabilizohej për momentin dhe më pas të dërgohej në spital për një mjekim më të specializuar.
Pas këtij momenti ndeshja vijoi edhe me mirëkuptimin e dy skuadrave, teksa Skrapari doli me tri pikë. Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe klubi i Basania që e quan si të tmerrshme ndërhyrjen.
"Si quhet ky lloj sporti. Në ndeshjen KF Skrapari vs Basania Ka ngatërru sport ky djali dhe ca të tjerë aty dhe jo vetëm. Gjithsesi do të mbajmë qëndrim publikisht dhe zyrtarisht edhe për arbitrimin, sepse çdo ndeshje i kemi edhe të filmuara", shkruan Basania.