VIDEO/ Partizani si uragan, Abiliaj: Kundër Vllaznisë ishim perfekt! Tedi Cara: Tani jemi ku duhet

7 Nëntor 2023, 10:49| Përditesimi: 7 Nëntor 2023, 14:15

  • Share

Partizani i këtij sezoni është për rekorde. Të kuqtë kampion në fuqi, shkatërruan me rezultatin 4-1 Vllazninë në ndeshjen e fundit të javës së 12 të Superligës, duke marrë fitoren e gjashtë rradhazi në kampionat. Shifra që të kuqtë i kishin arritur për herë të fundit në vitin 2007 kur në drejtim ishte Hasan Lika. Falë kësaj fitoreje Partizani u ngjit në kuotën e 26 pikëve, po aq sa Egnatia e vendit të parë, por kryeqytetasit kanë një ndeshje më pak.

“Më shumë i gëzohem performancës së skuadrës. Kjo më bën të ndihem mjaft mirë sepse në këtë pikë kemi dashur të arrijmë. Ndeshja ndeshjes nuk i ngjan, por sot ishte një ndeshje thuajse perfekte. Le ti gëzohemi kësaj dhe pastaj të bëhemi gati për ndeshjen direkte,”-u shpreh Arbër Abilaliaj, trajner i Partizanit.

“Deri tani kemi bërë më të mirën. Ky është Partizani vërtetë, është klubi që duhet të jetë gjithmonë. Sot kemi bërë paraqitje shumë të mirë dhe vetë rezultati e tregon atë. Edhe në fushë ishim siç duhet sepse kemi zbatuar të gjithë detyrat e trajnerit,”-tha Tedi Cara, futbollist i Partizanit.

Të shtunën në Rrogozhinë në program është superpërballja mes Egnatias dhe Partizanit, që do përcaktojë udhëheqësen e kampionatit. Ndërkohë disfata që i shkaktoi Partizani për Vllazninë ishte ndeshja e tretë pa fitore.

“Evidente është se ka një krizë, por Vllaznia ka kualitet për ta kaluar atë. Do mundohemi të përmirësohemi sepse na duhet një ritëm tjetër, një shpirt luftarak,”-u shpreh Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.

Pas 12 javësh kampionat shkodranët renditen në vendin e tetë me 13 pikë.

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?