Në qytetin siberian të Novosibirskut rusët e apasionuar pas notit në ujëra të akullta sa vjen e bëhen më të shpeshtë, ku temperaturat janë rreth -35 gradë Celsius.
Liqeni i këtij qyteti tashmë i ngrirë plotësisht çahet me kujdes nga një profesionist në një sipërfaqe të vogël për t’ju lejuar të apasionuarve të zhyten në të, raportojnë mediat e huaja.
Në videon e publikuar, shihet një grua e quajtur Viktoria e cila noton për herë të parë në atë temperaturë, dhe pasi e provon thotë se ishte një nga eksperiencat më ekstreme dhe më interesante që ka provuar.
Ndërsa programuesi rus Vyatcheslav Goryunov thotë:
"Të lahesh në minus 35 (Celsius) nuk të fal asnjë gabim. Nëse në minus 10 gradë celsius thotë ai mund të zhvishesh ngadalë dhe të vishesh po ashtu pas notit në liqen, në minus 35 duhet të bësh gjithçka shumë shpejt, duhet të kesh gjithçka gati".
Anëtari i klubit dimëror të notit Sergei Mischenko thotë se ky sport kaq ekstrem i është kthyer në të pazëvendësueshëm.
"Për dikë që është mësuar me të, tashmë është një ndjesi e këndshme, një gëzim, jam fiksuar me të. Të bëhet e mërzitshme të jetosh pa të."