Bota

VIDEO/ Përshëndetja naziste e Bannon në konventën e konservatorëve shkakton polemika, Bardella anulon fjalimin

21 Shkurt, 19:34| Përditesimi: 21 Shkurt, 19:38

  • Share

Një gjest i papritur me simbolikë naziste nga Steve Bannon gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Uashington ka sjellë një reagim të fortë: Jordan Bardella, presidenti i partisë së ekstremit të djathtë Rassemblement National (RN) në Francë, anuloi fjalimin e tij të planifikuar për pasditen e sotme.

Në këtë tubim të madh të konservatorëve dhe qendrës së djathtë nga SHBA dhe e gjithë bota, priten të marrin pjesë Donald Trump dhe këshilltari i tij Elon Musk, ndërsa Giorgia Meloni do të flasë në videokonferencë. Megjithatë, pas vendimit të Bardella-s, opozita në Itali ka kërkuar që edhe pjesëmarrja e kryeministres italiane të anulohet.

Distancimi i Bardella-s nga Bannon

Vendimi i Bardella-s – i cili dikur ishte afruar me Bannon-in, por e distancoi atë si këshilltar politik të partisë në 2019 – u bë i ditur përmes një deklarate nga RN, ku thuhej se ai "anuloi fjalimin e tij pasi një nga pjesëmarrësit bëri në mënyrë provokative një gjest që lidhet me ideologjinë naziste". Edhe pse emri i Bannon nuk u përmend fillimisht, më vonë u konfirmua nga partia. Ky veprim ka një peshë të veçantë, duke marrë parasysh se Marine Le Pen, dikur aleate e afërt e Bannon, e largoi atë nga partia në 2019 për të distancuar RN nga figura të tilla kontroverse.

Bannon reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi. Në një intervistë për Le Point, ai e quajti Bardella-n "një djalosh që nuk është i denjë për të udhëhequr Francën" dhe shtoi se "e kam bërë të njëjtin gjest shtatë vjet më parë në një tubim të partisë së tij".

Reagime edhe nga ekstremistët amerikanë

Veprimi i Bannon-it është pritur me kritika të ashpra jo vetëm në Francë, por edhe brenda qarqeve të ekstremit të djathtë në SHBA. Nick Fuentes, e quajti gjestin "të neveritshëm" dhe një "përshëndetje të qartë romake". "Madje edhe unë po filloj të ndihem paksa në siklet," shtoi ai.

Në fjalimin e tij të planifikuar në Uashington – që në Francë ishte kritikuar gjerësisht – Bardella kishte ndërmend të diskutonte marrëdhëniet SHBA-Francë dhe dinamikën e re elektorale të partive nacionaliste në Europë. Pas tërheqjes së tij, Franca në CPAC do të përfaqësohet vetëm nga eurodeputetja e partisë ekstremiste Reconquête e Éric Zemmour-it, Sarah Knafo.

Ky nuk është rasti i parë kur një figurë e njohur politike përfshihet në polemika për gjeste të lidhura me simbolikën naziste. Vetë Elon Musk u kritikua muajin e kaluar për një veprim që disa e interpretuan si një përshëndetje romake gjatë ceremonive të Inauguration Day. Por atëherë, Rassemblement National nuk reagoi me të njëjtin ton, duke e minimizuar çështjen. "E djathta ekstreme sheh nazistë kudo, por islamistë askund," ishte komenti i senatorit të RN-së, Julien Odoul.

Ironikisht, ishte pikërisht grupi politik Patriotët për Europën, i drejtuar nga Bardella, që vitin e kaluar propozoi Elon Musk-un si kandidat për Çmimin Sakharov për të drejtat e njeriut, në emër të lirisë së shprehjes.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?