Tensionet janë ndezur në Brazil që nga humbja e presidentit Jair Bolsonaro. Shumë njerëz, duke përfshirë dy oficerë policie dhe fëmijë, u plagosën dje pasdite në autostradën Washington Luis pasi një makinë u fut në një bllokadë rruge të ngritur nga mbështetësit e presidentit Bolsonaro, edhe pse ky i fundit u kërkoi mbështetësve të mos bllokojnë autostradat federale por të mblidhen në sheshet e qyteteve për protesta të rregullta.
Një 28-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, nuk dihen ende motivet e shoferit, por së bashku me të ishte edhe nëna e tij 74-vjeçare e cila u la e lirë.
28-vjeçari përballet me akuza tentativë vrasjeje teksa mes të plagosurve ishin një fëmije 12 vjeçare dhe dy oficerë policie.
Incidenti në Brazil vjen pas disa ditësh tensioni pas zgjedhjeve të së dielës. Presidenti Bolsonaro ka pranuar me ngurrim se do t'i duhet t'ia dorëzojë pushtetin fituesit të votimit, Presidentit të zgjedhur Lula. Mbështetësit e tij nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga lideri i krahut të djathtë që ata e shohin si banuesin e ligjshëm të Pallatit Presidencial. Në Sao Paulo, mijëra njerëz u mblodhën së bashku duke i'u lutur ushtarëve që të ndërhynin për të mbajtur Bolsonaro-n në pushtet.
Bolsonaro ka pranuar disfatën edhe pse para zgjedhjeve tha se “nëse do të humbiste do të ishte vetëm prej manipulimeve”. Protestuesit e quajnë presidentin e zgjedhur Lulën “bandit”, duke vënë në dukje dënimin e tij tashmë të anuluar për korrupsion si arsye se pse ai nuk duhet të rikthehet në pushtet.
"Ne nuk u besojmë më institucioneve tona. Bolsonaro do të mbështeste ndërhyrjen, por ai nuk mund të thotë diçka publikisht sepse ka frikë të shkojë në burg", thotë një protestues.
“Nuk do të jetojmë në mjerim, këtë po e bëjmë për popullin”, pohon një tjetër.
Pa prova, protestuesit i shohin zgjedhjet si të manipuluara dhe rezultatin si mashtrues. Ato janë të ngjashme me akuzat e mashtrimit që pasuan Zgjedhjet Presidenciale të SHBA 2020 dhe kulmuan me sulmin e 6 janarit në Kapitol.
Ndërhyrja ushtarake në zgjedhje ka precedent edhe në Brazil. Mendohet se ka pak mundësi që historia të përsëritet, por protestat tregojnë se sa larg do të shkojnë tifozët e Bolsonaro për të shmangur humbjen.