Futbolli në tërësi dhe ai në Spanjë në veçanti janë trazuar ditët e fundit, kjo pas "puthjes fatale" të kreut të Federatës së Futbollit Spanjoll, Luis Rubiales, me futbollisten e kombëtares, Jennifer Hermoso. Në ndarjen e medaljeve dhe trofeut për kampionet e Spanjës në Botërorin e femrave, dyshja dhuroi shfaqje, që ka trazuar qeverinë spanjolle, FIFA-n dhe ka shkaktuar protesta të shumta.
Vetë protagonistja nuk është shprehur për këtë çështje, teksa në një video pas suksesit duket jo shumë e shqetësuar për atë që kishte ndodhur. Megjithëse ditë më vonë gjesti jo i hijshëm i Rubiales shkaktoi "tërmet" për të, kjo pas pezullimit nga FIFA me 90 ditë dhe nisjes së një hetimi nga Prokuroria për "sulm seksual", Jennifer Hermoso është parë e lumtur që puthja u krahasua me atë të Casillas dhe Sara Carbonero, vite më parë në kombëtaren spanjolle të meshkujve.
Fill pas suksesit në Botëror, Spanja mori rrugën e kthimit në vendlindje. Në videon e publikuar duket qartë se Hermoso nuk e ka problem puthjen në buzë me kreun e Federatës, teksa i "mburret" shoqeve të ekipit që është krahasuar me atë të Carbonero - Casillas.
Me celular në dorë, ku duket fotoja e puthjes me Rubiales, futbollistja iu thotë shoqeve të kombëtares se po e krahasojnë me puthjen e Iker Casillas dhe Sara Carbonero, pas fitimit të Botërorit 2014, “live” në një konferencë shtypi.
E thënë ndryshe, e konstaton me mburrje këtë paralelizëm të mediave dhe rrjeteve sociale, mjaft e qeshur. Se çfarë ndodhi më pas, që futbollistja Hermoso e “ndërrkoi pllakën”, kjo mbetet enigmë. Pikërisht këtë gjë i kërkon edhe nëna e Rubiales nga greva e urisë, të thotë të vërtetën e puthjes, e cila duket se ishte e pranuar me sportivitet nga të dyja palët në “të nxehtë”. Më pas ndodhi “tërmeti”, që kryqëzoi presidentin e futbollit spanjoll.