Moment nga goli i Juventusit

VIDEO/ Roma-Juve pa fitues, Milan merr 1 pikë por vuan protestën e tifozëve! Leverkusen barazon rekordin europian të Benficas

6 Maj, 10:43| Përditesimi: 6 Maj, 10:47

  • Share

Është mbyllur në paqe supersfida e javës në Seria A mes Romës dhe Juventusit e vulosur me shifrat 1-1. Në Olimpico, verdhekuqtë të cilët vinin pas disfatës së hidhur me Leverkusen, realizuan të parët me Lukakun.

Nuk do të kalonte shumë për të parë reagimin e Juventusit, që me atë Bremerit në minutën e 31 realizoi golin e barazimit. Një rezultat që do mbetej i pandryshuar deri në fund pavarësisht tentativave të dy skuadrave. Më konkretisht me Chiesan e Juves dhe Abrahamin e Romës, i cili në limite pati një shans të artë për 3 pikët. Kjo në një kohë kur verdhekuqtë luftojnë për të siguruar një vend në Champions sezonin e ardhshëm.

Më herët Milan që po kalon një periudhë të vështirë u ndal 3-3 në San Siro nga Genoa. Miqtë realizuan të parët me Reteguin, ndërsa ‘djalli’ barazoi me Florenzin para se ish-futbollisti i Partizanit Ekuban të kalonte sërish Genoan në avantazh.

Në pjesën e dytë Milan arriti të përmbyste përkohësisht shifrat me Gabbian dhe Giroud, por një autogol në minutat e fundit vulosi shifrat përfundimtare në 3-3. Për t’u veçauar në këtë sfidë ishte edhe protesta e tifozëve ultras të Milanit, të cilët në pjesën e dytë braktisën edhe tribunën, duke lënë mesazhe për drejtuesit.

Në Premier League Liverpool i dha fund ëndrrës së Tottenham për të luajtur në Champions League sezonin e ardhshëm. ‘The Reds’ fituan 4-2 në Anfield, në një kohë kur deri në minutën e 70 udhëhiqnin 4-0. Në vijim golat e Richarlison dhe Son shpëtuan nderin e spursave.

Chelsea ndërkohë po tregohet i frikshëm në derbet e Londrës. Pasi mposhti 2-0 Tottenham, këtë herë ‘blutë’ e Pochetinos shkatërruan 5-0 Ëest Ham. Në Stamford Bridge shkëlqeu sulmuesi Jackson me dy gola dhe një asist.

Në Bundesligë Leverkusen i shpallur kampion prej javësh nuk kurseu as Eintracht Frankfurt. Aspirinat fituan me rezultatin e thellë 1-5, duke barazuar edhe rekordin europian të Benficas në vitet 1963-1965. Të dy skuadrat tani janë në kuotën e 48 ndeshjeve pa humbje, ndërsa gjermanët do kenë mundësinë ta thellojnë kur të enjten të përballen me Romën në shtëpi për gjysmëfinalen e Europa League.

 

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?