Një incident i rëndë ajror ndodhi të shtunën në Pembroke Pines, Florida, ku një aeroplan i vogël u rrëzua rreth një milje larg pistës së aeroportit North Perry. Mjeti fluturues u përplas me një pemë dhe më pas u përfshi nga flakët, duke rrezikuar jetën e katër pasagjerëve që ndodheshin brenda.
Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe nga vetë banorët e zonës, të cilët reaguan me shpejtësi dhe guxim për të ndihmuar pasagjerët në rrezik. Sipas dëshmive të fqinjëve, aeroplani ra vetëm 25 metra larg një shtëpie dhe flakët përfshinë menjëherë motorin e tij.
“Njeri prej tyre solli një sëpatë. Kishim dy fqinjë me një tub uji”, rrëfeu një banore e zonës, Hanley. Ajo shtoi se vjehrri i saj goditi me sëpatë dritaren e aeroplanit për të ndihmuar në daljen e pasagjerëve, ndërsa një tjetër person përdori një fikës zjarri për të penguar përhapjen e flakëve.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të banorëve, të katër pasagjerët u nxorën të gjallë nga aeroplani dhe u dërguan në spital për trajtim. Gjendja e tyre shëndetësore nuk raportohet të jetë kërcënuese për jetën.
Autoritetet lokale dhe hetuesit federalë kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Ngjarja ka ngjallur shqetësim në komunitet dhe ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë ajrore në afërsi të zonave të banuara pranë aeroportit North Perry.
Komente
