Portieri i Kombëtares, Simon Simoni ka debutuar edhe në kampionat me Eintracht Frankfurtin. 18-vjeçari u dërgua në ekipin e dytë të gjermanëve, kjo për të marrë sa më shumë minuta dhe përshtatur me stilin e lojës në Gjermani.
Trajneri e aktivizoi menjëherë nga minuta e parë Simonin, në ndeshjen kundër Eddersheim. Shqiptari e mbajti portën të paprekur në fitoren 1-0 të të tijve. Veç formës së mirë të treguar, djaloshi nga Lezha bëri një dalje të pastudiuar mirë, duke rrezikuar edhe pësimin e golit.
18-vjeçari nuk mundi të kontrollonte si duhet një top jashtë zone, duke shkaktuar faull edhe pse kishte mundësi që të largonte sferën. Duket se hap pas hapi Simoni po merr minuta në Gjermani, me detyrën që është të jetë pjesë e ekipit të parë.
Kujtojmë se Simoni la Dinamon në 1 janar të këtij viti dhe u bashkua me klubin e Bundesligës për 600 mijë euro, me kontratën që vlen deri në qershorin e 2027-ës.