Skandal në Maqedoninë e Veriut, polici heq flamurin shqiptar të vendosur për festat e nëntorit! VIDEO kur e hedh në tokë

29 Nëntor, 20:41| Përditesimi: 29 Nëntor, 22:51

  • Share

Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në Maqedoninë e Veriut, ku policia ka ndërhyrë për të hequr flamujt shqiptarë të vendosur për festat e 28 dhe 29 Nëntorit.

Në pamjet që po qarkullojnë në rrjet, dallohet momenti kur një polic heq nga shtylla një flamur shqiptar në Kumanovë. Polici e heq flamurin dhe më pas e hedh në tokë, një veprim që ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë tek shqiptarët e Maqedonisë. 

Bëhet fjalë për policin me iniciale D.K. i cili në video shihet duke hequr flamurin kombëtar. Ky akt konsiderohet një skandal, duke qenë se ndodhi në vigjilje të festave që përkujtojnë Pavarësinë dhe Çlirimin e Shqipërisë. 

Ndërkohë, në reagimin e parë të Ministrisë së Brendshme maqedonase thuhet se do të nisë një procedim disiplinor për policin. Zv.ministri Astrit Iseni tha se çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

“Do të ketë një procedurë disiplinore kundër punonjësit të MPB-së që hodhi flamurin Shqiptar. Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim", tha ai. 

Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në Shkup ku është djegur flamuri i Maqedonisë së Veriut, çka ka sjellë reagimin jo vetëm të qytetarëve, por edhe autoriteteve dhe politikës. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar 8 shqiptarë mes të cilëve një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç.

Nga ana tjetër partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët thonë se ishte policia ajo që nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit.

Ora 22:32
Skandali me flamurin shqiptar, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Procedim disiplinor për policin, ka detyrim të respektojë simbolet e çdo bashkësie etnike

Zv.ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni ka reaguar për incidentin e rëndë në Kumanovë, ku një polic hoqi flamurin shqiptar të vendosur për festat e nëntorit dhe në një video dallohet teksa e hedh në tokë. Ky është reagimi i parë që vjen nga autoritetet maqedonase dhe zv.ministri i Brendshëm thotë se do të nisë një procedurë disiplinore ndaj policit që hodhi flamurin shqiptar.

Iseni dhe shtoi se çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Iseni tha se ligjet do të zbatohen nga të gjithë ndërsa mosrespektimi i tyre, do të sanksionohet pa përjashtim.

“Do të ketë një procedurë disiplinore kundër punonjësit të MPB-së që hodhi flamurin Shqiptar. Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim.

Ligjet do të zbatohen njësoj për të gjithë, ndërsa institucionet do të jenë garancë për respektimin e tolerancës dhe të drejtave ndërmjet të gjitha komuniteteve.

Sipas nenit 319 të Kodit Penal, kushdo që me dashje nxit përçarje, intolerancë ose urrejtje përmes fyerjes ose shkatërrimit të simboleve kombëtare ose fetare, do të mbajë përgjegjësi penale. Nuk do të lejoj që një sjellje e tillë, sidomos kur vjen nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të mbetet e pandëshkuar.

Si zv/ministri i Punëve të Brendshme, unë qartë e dënoj çdo shkelje ose mosrespektim të simboleve shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nëse bëhet fjalë për flamurin e maqedonasve, shqiptarëve, apo të cilitdo bashkësi etnike tjetër.

Dje të gjithë së bashku e dënuam aktin e fyerjes së flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar angazhimin tonë për bashkëjetesë dhe respekt reciprok. Sot, gjithashtu e dënoj dhe konfirmoj se do të ketë përgjegjësi për punonjësin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka vepruar në mënyrë fyese dhe të papranueshme ndaj flamurit, i cili është simbol kombëtar i shqiptarëve, një flamur që është rregulluar me ligj për përdorim sipas normave ligjore të shtetit tonë”, thuhet në reagimin e zv/ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?