Jasir Asani nuk vendosi të luante për Maqedoninë e Veriut, duke refuzuar kombëtaren fqinje. Sulmuesi priti moshën 28-vjeçare dhe ardhjen e Sylvinhos në pankinë për t'u veshur kuqezi, teksa peripecitë e tij në rini kanë qenë të mëdha, madje edhe duke u dhunuar në vendlindje.
Ishte viti 2015-të kur futbollisti me prejardhje nga Shkupi, Jasir Asani goditej me grushta nga huliganët maqedonas. Pamjet pas rrahjes që mori futbollisti i kombëtares shqiptare kanë qarkulluar tashmë kudo në rrjet.
Në një intervistë për "Alsat", asokohe ai deklaronte se huliganët i kërkuan të thoshte “hamburger”. Asani kishte refuzuar t’i bindet urdhrave dhe kështu kishte nisur konflikti me ta. “Më thanë thuj hamburger, i thash pse me thanë hamburger?. Më rrahën shumë”, deklaronte ai.
Në prononcimin e tij ai kishte thënë se huliganët kishin ndaluar sulmin vetëm kur ai i kishte treguar se luante për ekipin e Vardarit të Shkupit në Maqedoninë Veriore.
“Ishin rreth 20 vetë dhe dolën para meje. Më detyruan dhe më goditën, donin të më shtrijnë. Më pas iu thashë, e dini kush jam? Luaj në Vardar, Jasir e kam emrin”, tregonte Asani.
Tanimë në moshën 28-vjeçare, Asani duket titullar i padiskutuar te kuqezinjtë, ndërsa shënoi një perlë në fitoren 2-0 kundër Polonisë tre ditë më parë në "Air Albania". Veç Shkupit dhe Vardarit, Asani u bë i njohur për aktivizimin te Partizani në Superligë.