Një spirale blu misterioze që i ngjan një galaktike u shfaq mbi Alaskë. Të apasionuarit pas fenomenit “Aurora Borealis”, i njohur ndryshe si dritat veriore, patën fatin të shohin këtë spektakël për disa minuta në qiellin e Alaskës. Spiralja lëvizëse u shfaq mëngjesin e së shtunës dhe i habiti të gjithë ndërsa po lëvizte në drejtim të tyre.
"Ajo u bë gjithnjë e më e madhe," tha fotografi Todd Salat për Anchorage Daily Neës.
“Nuk e kisha idenë absolutisht se çfarë ishte… Do të thosha se kjo ishte ndoshta gjëja më e çuditshme që kam parë ndonjëherë në jetën time.”
Fotot e fenomenit të pazakontë qarkulluan me shpejtësi në internet, ndërsa njerëzit shpesh thonin se ishte një galaktikë që po i afrohej tokës. Por në fakt, ekspertët besojnë se spiralja lëvizës është krijuar nga lëshimi i një rakete të SpaceX për shkak të derdhjes së lëndës djegëse.
Në disa raste, raketat kanë karburant të tepërt që duhet të hidhet, thotë fizikanti i hapësirës Don Hampton, profesor në Institutin Gjeofizik të Universitetit të Alaskës në Fairbanks.
Ai i thotë se kur derdhja e karburantit bëhet në lartësi të mëdha, lënda djegëse kthehet në akull.
“Kur kjo ndodh nën rrezet e diellit, dhe toka është e mbuluar nga errësira, mund të shihet një lloj reje e madhe, dhe në disa raste që rrotullohet”.
Megjithëse nuk shihet shpesh, Hampton tha se ka parë dukuri të tilla tre herë. Raketa e SpaceX u lëshua mbrëmjen e së premtes nga baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni me rreth 25 satelitë në bord.