POLONI - Widzew Lodz fitoi 1-0 në shtëpi kundër Zaglebie për raundin e parë në kampionatin polak të futbollit. Goli i vetëm i ndeshjes, i cili në fund vleu tri pikët u shënua nga Juljan Shehu.
Në minutën e 35-të, Shehu pati një mundësi të mirë, por u ndal nga gardiani mik Hladun. Megjithatë, mesfushori u korrigjua në minutën e 40-të, kur pas një lëvizjeje me trup nxori 'blof' dy kundërshtarë dhe në pozicion goditës lëshoi një të djathtë të fortë, për ta ndalur kështu në trekëndësh.
Festë legjitime në stadium dhe festë me 'shqiponjë' nga 26-vjeçari, i cili nisi shkëlqyer një sezon të ri, duke vijuar me formën e atij të mëparshmit. Në fushë 70 minuta luajti edhe Lindon Selahi, i cili u ndëshkua me karton të verdhë. Mesfushë kuqezi te Widzew Lodz.
Mesfushori i Kombëtares, Juljan Shehu i dha tri pikë Widzew Lodz në javën e parë të kampionatit polak. Supergoli i tij në minutën e 40-të është në qendër të medieve polake, për vetë mënyrën 'fine' të realizimit.
Pas ndeshjes ai doli para medieve, duke thënë se luan më pranë portës dhe se thirrja në Kombëtare nga Sylvinho i ka dhënë më shumë besim. Ai foli edhe për të ardhmen.
“Grumbullimi në kombëtaren shqiptare sigurisht që më ka dhënë shumë besim në aftësitë e mia. Me ekipin e Widzew Lodz trajneri më ka ndryshuar edhe pozicionin në fushë duke më afruar edhe më shumë me portën kundërshtare. Me këtë pozicion të ri që kam, mendoj se kam më shumë mundësi për të sulmuar”, tha ai.
Më pas Shehu pranoi se po flet me klubin për rinovimin e kontratës, pasi ajo skadon në fundin e këtij edicioni.
“Po flas për të ardhmen me klubin, por kam edhe një vit kontratë prandaj jam më shumë i përqëndruar me atë çfarë ndodh në fushë”, komentoi Shehu.
Komente
