Japoni- Moti i keq nuk ka goditur vetëm Europën, por edhe Azinë. Japonia jugperëndimore është goditur kohët e fundit nga ajo që ekspertët e motit thonë se mund të jetë një nga stuhitë më të forta ndonjëherë në rajon.
Këto janë edhe pamjet e kamerave të vëzhgimit që vërtetojnë katastrofën natyrore që ka prekur vendin aziatik prej ditësh dhe tregojnë shi dhe erëra të forta që frynin nga deti. Shkak është tajfuni Shanshan që ka përfshirë të gjithë rajonin dhe po lë pas viktima dhe shkatërrime.
Autoritetet lëshuan urdhra evakuimi për më shumë se 800,000 banorë në prefekturat Kagoshima, Aichi dhe Shizuoka në Japoninë qendrore, raporton “La Repubblica”.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim urgjent, duke thënë se tajfuni mund të sjellë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe erëra mjaft të forta, për të rrëzuar shtëpi, objekte, pemë dhe çfarë gjen para. Tashmë ka disa viktima dhe persona të zhdukur, por autoritetet nuk publikuan shifra konkrete.