Juljan Shehu, Arbër Hoxha dhe Taulant Seferi

Sport

VIDEO/ Taulant Seferi dopietë në Turqi, Juljan Shehu tjetër gol në Poloni! Arbër Hoxha asist në Europa League

25 Shtator, 12:08| Përditesimi: 25 Shtator, 12:16

  • Share

Futbollistët e Kombëtares duken në formë para ndeshjes kundër Serbisë, e cila luhet më 11 tetor në Leskovac dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Taulant Seferi, Juljan Shehu dhe Arbër Hoxha kanë lënë gjurmë në ndeshjet e klubeve të tyre të mërkurën.

Në Turqi, Taulant Seferi shënoi dy gola në fitoren 2-0 të Bodrumspor kundër Vanspor, e vlefshme për raundin e shtatë në Ligën e Parë. Duhej minuta e 21-të që ndeshja të zhbllokohej, me Seferin që tundi rrjetën pas asistit të Fredy. Edhe në minutën e 60-të asistimi i Fredy u shfrytëzua nga Seferi, i cili shënoi golin e dytë personal. Vlen për t'u theksuar se sulmuesi nuk preferohet më nga Sylvinho dhe golat e tij janë si një sinjal për trajnerin e Kombëtares.

Në Poloni, Juljan Shehu dërgoi Widzew Lodz në 1/16 e Kupës. Me ndeshjen që ishte sigluar në shifrat 2-1 për Termalica, në minutën e 64-t në fushë u hodh Juljan Shehu. Mesfushori i Kombëtares ia doli të shënonte në minutën 90+1, duke barazuar gjithçka dhe dërguar ndeshjen në shtesë. Asnjë gol nuk u shënua në 30 minuta lojë dhe nga penalltitë miqtë e Lodz ishin më të saktë duke fituar 4-5, teksa nga 11 metërshi golin e pestë dhe të fitores e shënoi Shehu, i cili është kthyer në pikë referimi për polakët dhe Kombëtaren. Katër gola këtë sezon për Shehun.

Në Kroaci, Dinamo Zagrebi fitoi 3-1 kundër Fenerbahces për fazën e ligës në Europa League. Te goli i dytë i vendasve asistoi Arbër Hoxha, me sulmuesin anësor që fundjavën e shkuar gjeti edhe golin. 

Dopieta e Seferit

Goli i Juljan Shehut

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?